AAK, ultimatu Mustafës per shkarkimin e Jabllanovicit

AAK, ultimatu Mustafës per shkarkimin e Jabllanovicit

AAK, ultimatu Mustafës per shkarkimin e JabllanovicitKryesia e Kuvendit të Kosovës, nesër (e hënë) do ta shqyrtojë kërkesën e grupit parlamentar të AAK-së për interpelancë për kryeministrin Isa Mustafa për çështjen e ministrit Aleksandër Jabllanoviq, i cili ka fyer rënd nënat gjakovare, duke i quajtur “egërsira”.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare do të mbahet nesër, në orën 11:00.

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se interpelanca parlamentare do të mbahet një ditë para protestës.

Kadaj-Bujupi, ka thënë për “Epokën e re”, se nga kjo interpelancë parlamentare presin që kryeministrit Mustafa t’i kthjellet truri dhe ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq. “Nga kjo interpelancë parlamentare, që sipas rregullores do të mbahet të martën, presim që kjo çështje të shtrohet në Kuvend dhe nga aty kryeministrit të vendit t’i kthjellet truri dhe ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq”, është shprehur Kadaj-Bujupi, duke shtuar se ky edhe është edhe rekomandimi i grupit parlamentar të AAK-së në kërkesën për interpelancë.

“Z. Mustafa duhet ta tregojë vetën se është kryeministër i vendit, sepse ne jemi shtet sovran dhe i pavarur. Të gjithë ata që mendojnë se mund të shkelin mbi vuajtjet e nënave të Gjakovës të cilave gjatë luftës së fundit në Kosovë iu vranë, iu masakruan dhe iu zhduken nga regjimi kriminal i shtetit serb, bijtë dhe bijat e tyre, duhet ta dinë se kanë gabim. Kosova është vend i lirë dhe demokratik po nuk mund të lejojmë që dikush të jetë në qeverinë tonë e që dëshiron të zhbëjë historinë tonë të fyej nënat e dëshmorëve tanë të shenjt”, ka thënë Kadaj-Bujupi.