AAK deri në shkurt e pret përgjigjen e PDK-së për koalicion

AAK deri në shkurt e pret përgjigjen e PDK-së për koalicion

AAK deri në shkurt e pret përgjigjen e PDK-së për koalicionDeri në fillim të shkurtit Partia Demokratike e Kosovës duhet t’i jap përgjigje Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kërkesën e saj që të hyjë në Qeveri.

Gjithsesi me kushtin që kreu i saj Ramush Haradinaj të bëhet kryeministër i vendit. Drejtuesit e Aleancës thonë se nëse ndodhë e kundërta, AAK-ja do ta vazhdojë rrugën e saj si subjekt opozitar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në pritje të përgjigjes së Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me kërkesën për futjen e AAK-së në koalicion qeverisës. Derisa kreu i AAK-së Ramush Haradinaj që nga lirimi nga Haga në çdo paraqitje para mediave e ka shprehur gatishmërinë që ta marr postin e kryeministrit, kreu i Qeverisë Hashim Thaçi në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar për këtë vit paraqiti prioritetet për vitin 2013, duke u zotuar për më shumë punë dhe angazhim. Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së në një konferencë për media, tha se pritja e AAK-së ka një afat për përgjigjen e PDK-së, e ai është fillimi i shkurtit.

“Jo vetëm për shkak të Aleancës, por kjo definitivisht reflekton edhe me gjendjen në Kosovë, nuk mund të zgjasim tema të tilla për një kohë të pacaktuar. Gjithkush duhet ta dijë se ku qëndron, agjendat e shtetit janë të zorshme, janë të rënda, dhe nuk mund t’i mbajmë agjendat tona në këtë mënyrë, do të thotë do duhej të kemi përgjigje deri në fillim të shkurtit dhe këtë e dimë edhe ne, besoj e di edhe PDK-ja”, tha Gjini.

Kreu i AAK-së, Haradinaj, në vazhdimësi e ka paraqitur ofertën e tij që ta udhëheq Qeverinë me përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, por se a do të ndodhë kjo apo jo, nënkryetari Ardian Gjini, thotë se është çështje fati.

“Nëse do të ndodhë ndryshe, ne prapë e kemi rrugën të cilën e kemi zgjedhur dhe nuk do të lëvizim nga rruga jonë. A do të ndodhë apo jo, është çështje e një orakulli dhe kjo është diçka që unë as si individ nuk mund t’ju them, por as nuk e kemi diskutuar në parti se çka po ndodhë, nuk ka qenë temë”, tha Gjini

Sidoqoftë, çështja e koalicionit të mundshëm me PDK-në, sipas Gjinit, nuk ka qenë temë diskutimi në mbledhjen e kryesisë së AAK-së, në të cilën u mor vendimi për formimin e grupit koordinues për zgjedhjet nëpër degët e AAK-së. Gjini tha se procesi i brendshëm zgjedhor do të fillojë më 15 janar dhe do të përfundojë më 15 prill, kur do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i AAK-së, në të cilin do të zgjidhen strukturat drejtuese të partisë.