24 dhjetori temë e takimeve të Saninos

24 dhjetori temë e takimeve të Saninos

24 dhjetori temë e takimeve të SaninosNgjarjet e 24 dhjetorit kanë qenë temë kryesore e të gjitha takimeve të tij, ndërkaq ai nuk komentoi asgjë pas takimeve. Takimet ai i nisi me kryetarin e LSDM-së Branko Cërvenkovski

Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim i Komisionit Evropian, Stefano Sanino ishte në Maqedoni, ku dhe kishte takime të ndara me krerët e shtetit dhe me liderët e partive politike. Ngjarjet e 24 dhjetorit kanë qenë temë kryesore e të gjitha takimeve të tij, ndërkaq ai nuk komentoi asgjë pas takimeve.

Takimet ai i nisi me kryetarin e LSDM-së Branko Cërvenkovski, i cili e njohu Saninon me qëndrimet e opozitës në lidhje me krizën aktuale politike në vend pas ngjarjeve të 24 dhjetorit. Nga LSDM-ja informojnë se kanë këmbyer mendime për pezullimin e debatit institucional politik, shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe mosveprimi në pajtim me Rregulloren kuvendore dhe procedurat.

Me delegacionin e Komisionit Evropian është biseduar për largimin e gazetarëve dhe deputetëve opozitar nga dhoma legjislative, ndërsa Sanino u njoftua se është joreale të pritet që në këtë situatë, opozita të kthehet në Kuvend.

Përfaqësuesit të BE iu prezantua plani për dalje nga kriza politike përmes zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe korrekte. Delegacioni i Komisionit Evropian u njoftua se opozita mbetet konsekuente në qëllimet e saja parimore për kthimin e demokracisë, për çka janë të gatshëm që të arrijnë marrëveshje politike.

Sanino është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Poposki dhe kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovskin. Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Poposki para Saninos ka elaboruar reformat e arritura në Maqedoni të cilat kontribuuan që KE-ja për herë të katërt ta konfirmojë rekomandimin për fillimin e negociatave. Me Kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovskin, Sanino është takuar pasi paraprakisht në takim me Shoqatën e Gazetarëve është njoftuar për ngjarjet e 24 dhjetorit, kur punonjësit e medias u dëbuan me dhunë nga Kuvendi. Përveç incidentit me gazetarët, Sanino ka kërkuar llogari nga kryeparlamentari edhe për mënyrën e sjelljes së Buxhetit për vitin 2013 dhe për dëbimin e opozitës me forcë nga Kuvendi.

Në këto takime, Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për zgjerim të Komisionit Evropian, personalisht ka dëgjuar këndvështrimet e liderëve politik. Megjithatë, vet Sanino nuk deshi të komenton qëllimin e vizitës së tij.

Stefano Sanino u takua edhe me liderët politik shqiptar, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, në selitë e dy partive në Tetovë.

Ai pati takim edhe me zëvendës kryeministren për Euro – integrime, Teuta Arifin.