17 kandidatë të rinj për vendet vakante në Gjykatën e Lartë

17 kandidatë të rinj për vendet vakante në Gjykatën e Lartë

17 kandidatë të rinj për vendet vakante në Gjykatën e LartëKreu i shtetit, Bujar Nishani, ka shpallur 17 kandidatura të reja për dy vende vakante në Gjykatën e Lartë.

Pas rrëzimit të dy kandidaturave nga ana e mazhorancës, Nishani ka pohuar se do të vijojë bashkëpunimin me krerët e grupeve parlamentare për plotësimin e vendeve vakante. Dy kandidatët e parë, mazhoranca i konsideroi si provokacion të kreut të shtetit, pasi sipas saj, kandidatët ishin diktuar nga Sali Berisha.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit reagoi duke thënë se vendimi i mazhorancës ishte një truk procedural.

“Në përfundim të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës, SHTZ. Bujar Nishani, në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, shpall kandidatët të cilët plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara në ligjin e lartpërmendur.

Procesi përzgjedhës do të vijojë me bashkëpunimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e kandidatëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë të anëtarit, duke siguruar kështu përbërjen cilësore dhe të nevojshme për Gjykatën e Lartë.

Lista e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftim. Kandidatë që vijnë nga radhët e gjyqësorit janë Alaudin Malaj, Astrit Kalaja, Entela Prifti, Fatos Qato, Luan Dervishi dhe Sokol Ngresi. Kandidatë që vijnë nga radhët e juristëve janë Adnor Shameti, Ermir Dobjani, Genti Shala, Gjet Kola, Ilir Panda, Luan Daci, Pranvera Strakosha, Rexhep Bekteshi, Sokol Sadushi dhe Shpëtime Pitaku.