1.8 milion turistë në Shqipëri
Ministria e Turizmit tha se në Shqipëri kanë hyrë që nga janari deri në fund të muajit korrik rreth 1 milion e 800 vizitorë duke përfshire këtu emigrantët apo turistët dhe ata që kryejnë vizitë njëditore apo kalojnë tranzit në Shqipëri.
“Nga janari deri ne korrik kemi regjistruar një shifër prej 1.8 milionë vizitoresh. Vjet kemi patur 3 milionë vizitorë, numër në të cilin përfshihen emigrantet edhe shtetasit e huaj”, tha Odeta Nishani, nga Drejtoria e Statistikave.
Sipas statistikave dhe përllogaritjeve të bëra në Ministrinë e Turizmit deri në fund të muajit korrik, 180 mijë janë vizitore ditore të cilët mund të kenë vizituar një kala në Shqipëri, ndërsa 1 620 000 janë përllogaritur turiste, të cilët kanë fjetur të paktën një natë në Shqipëri. Sipas Nishanit, kriteri bazë për përcaktimin e vizitoreve është rezidenca e tyre, me pas në bazë të ditë qëndrimit ato klasifikohen në turiste apo vizitore ditore.
Për 20 ditët e para të gushtit kanë ardhur rreth 600 mijë të huaj të cilët do të përpunohen në vizitore ditore, turiste apo rezidente në vendit tonë dhe Ministria e Turizmit deklaron qe deri në fund të vitit shifra e vizitoreve parashikohet të jetë 3.5 milionë. Pas klasifikimit dhe shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit, është Banka e Shqipërisë dhe INSTAT të cilat bëjnë përllogaritjet e të ardhurave nga turizmi, pasi turisti dhe vizitori ditore kanë koeficiente të ndryshëm në përllogaritjen e shpenzimeve qe mund të kenë kryer.