kujtimet_2508111049_1

“Kujtime të huazuara” për Jugosllavinë e Titos kthehet në shfaqje teatri

Regjisorja nga Beogradi, Aleksandra Uroseviq do të përzgjedhë katër aktorë kosovarë që t’i bashkohen projektit të saj të ri teatror “Kujtimet e huazuara”. Ajo ka vendosur për Afrim Muçajn, Arta Selimin edhe Muhamed Arifin, nga 20 aktorët që janë paraqitur në audicion, ndërsa është në dilemë për emrin e katërt të pjesëmarrësit në shfaqjen që do të prodhohet nën direktivat e saj. Dilema është në mes të një muzikanti dhe një aktoreje. 

Prodhues i kësaj shfaqjeje do të jetë Qendra Multimedia. Adelina Berisha, menaxhere e këtij projekti, ka thënë se puna për realizimin e shfaqjes tashmë ka filluar.

“Faza e parë është të shkruarit e dramës, ndërsa menjëherë do të nisin provat që do të mbahen në hapësirat e Qendrës”, ka thënë Berisha. Ajo ka treguar se aktorët janë përzgjedhur në bazë të aftësive të tyre në aktrim, këndim, si dhe në njohuritë për të ekzekutuar në ndonjë instrument muzikor. Berisha ka thënë se premiera e shfaqjes do të jepet më 24 shtator.

Ndërkohë vetë regjisorja Uroseviq është ndalur në rrëfimin e shfaqjes.

“Shfaqja ka të bëjë me memoriet, nostalgjinë dhe me ndjenjat

që i referohen periudhës së ish-Jugosllavisë së Titos, tek njerëzit të cilët në fakt asnjëherë nuk kanë jetuar në ato kohëra, madje as që kanë qenë pionierët e Titos”, ka thënë Uroseviq. “Kujtimet e tyre janë të huazuara nga prindërit, gjyshërit, mësuesit, filmat, televizioni etj., prandaj emri i projektit është ‘Kujtime të huazuara’”, ka thënë Uroseviq.

Sipas Berishës, plani është që të bëhen tri drama të ndryshme me të njëjtën temë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi dhe pastaj të ngërthehen të tria në një shfaqje, e cila do të shfaqet në Itali.

“Kjo është ideja fillestare, por ne të gjithë shpresojmë se secila shfaqje

do të vazhdojë të jetojë jetën e vet edhe pasi ky projekt dyvjeçar të përfundojë”, ka thënë Berisha.

Aktorja Arta Selimi ka thënë se ndihet e gatshme të luajë në këtë shfaqje.

“Kam pasur një pushim trejavësh dhe jam shumë e relaksuar”, ka thënë Selimi, teksa pret të ketë një takim tjetër me regjisoren në të cilin do të informoheshin për detaje mbi shfaqjen. Asaj i bën përshtypje edhe fakti se shfaqja do të udhëtojë për t’u shfaqur edhe në Itali.

“Një shfaqje ka kuptim më të madh, në sa më shumë vende që shfaqet, sepse arti vërtet është ambasadori më i mirë”, ka thënë Selimi.