Hashim Thaçi

“Harroi” premtimin për zvogëlimin e TVSH-së për bukën

Vala e shtrenjtimit të produkteve të drithit nuk i ka bindur krerët e Qeverisë së Kosovës që të nisin konkretisht realizimin e premtimeve të tyre gjatë fushatës parazgjedhore për zvogëlimin e tatimeve mbi këta artikuj.

Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi, së bashku me ministrin e tashëm të Financave, Bedri Hamza, në kohën sa po zhvillohej fushata zgjedhore në një konference për media të mbajtur në selinë e PDK-së, patën premtuar që TVSH-ja për bukën të bjerë nga 16 në 9 për qind, shkruan Koha.

Kjo sipas tyre do të arrihej duke ngritur normën e TVSH-së për disa produkte tjera që konsiderohen luksoze, në të cilat përfshihen duhani dhe alkooli, derisa nuk do të shkaktoheshin defekte financiare për arkën e shtetit.

Pakoja e re e TVSH-së, sipas premtimeve të Thaçit, do të zbatohej që në pjesën e parë të vitit 2011. Ndërkohë, çmimet e produkteve bazë të ushqimit për të cilat është premtuar zvogëlim i TVSH-së shënojnë rritje të vazhdueshme.

Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së Furrtarëve të Kosovës, ka thënë se norma e TVSH-së për bukën dhe miellin në Kosovës është ndër më të lartat në rajon.

Ai ka thënë se politikat e Qeverisë duhet komplet të ndryshojnë ndaj bujqësisë në mënyrë që në të ardhmen të sigurohet buka për banorët e vendit.

“Gruri i prodhuar në tokat tona nuk mjafton as për 1 milion banorë. Nëse zgjat kjo situatë, furrtarët ose do ta hipin çmimin e bukës, ose do t’i mbyllin furrat”, ka thënë Xoxa.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se ngarkesa tatimore në produktet bazike siç është gruri, ka bërë që çmimi i bukës në Kosovë të jetë më i larti në rajon.

“Uljet e tilla si dhe lehtësimet tjera fiskale në zinxhirin e prodhimit të bukës ndikojnë në uljen e çmimit final. Në anën tjetër ne duhet të shohim implikimet buxhetore të një uljeje të tillë meqë buxheti këtë vit vuan nga paaftësia për të siguruar mjete të mjaftueshme”, ka thënë Lumir Abdixhiku, drejtor në institutin “Riinvest”.