“Dokufesti” përhap kulturën e filmit dokumentar nëpër shkolla

“Dokufesti” përhap kulturën e filmit dokumentar nëpër shkolla

Përfaqësuesit e festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest” në bashkëpunim me zyrtarët e institucioneve arsimore të Komunës së Prizrenit dhe të asaj të Suharekës kanë ndërmarrë nismën për përhapjen e kulturës së filmit nëpër shkolla.

Me nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit të enjten ata kanë hedhur themelet për krijimin e klubeve të filmit, të cilat krahas organizimit të projeksioneve do të realizojnë edhe debate, ku theksi do të përqendrohet te çështjet që ndërlidhen me të drejtat e njeriut.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prizrenit e të asaj të Suharekës, pastaj drejtorët e shkollave, profesorët si dhe nxënësit, do të formohen klubet e filmit në gjimnazin ‘Remzi Ademaj’ dhe “Loyola” në Prizren, si dhe në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë”, ka thënë zëdhënësja e “Dokufestit”, Nita Deda. Sipas saj ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me festivalin “One World” të Pragës, i specializuar për filmat dokumentarë që trajtojnë të drejtat e njeriut.

Ndërsa Linda Lulla, menaxherja e projektit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar – Promovimi i vlerave demokratike të drejtave të njeriut përmes filmit” ka sqaruar se shkollave do t’i dhurohen pajisjet e duhura për shfaqjen e filmave si dhe filmat dokumentarë me temën e të drejtave të njeriut.

“Pas shfaqjes, do të hapen debate mbi çështjet e trajtuara në filma. Ato kanë për qëllim rritjen e vetëdijes së nxënësve në lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike”, ka thënë Lulla.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, ka theksuar se ky institucion është i nderuar me faktin që i është dhënë mundësia e bashkëpunimit me festivalin “Dokufest”, që sipas tij ka krijuar nam jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Çoçaj është shprehur i bindur se kjo nismë do të sjellë një përvojë të re për nxënësit e shkollave përkatëse, praktikë kjo që sipas tij do të mundësojë kultivimin e kulturës së debatit por edhe zgjerimin e njohurive përmes projeksionit të rrëfimeve të ndryshme mbi të drejtat e njeriut. Në këtë ceremoni të pranishëm kanë qenë edhe Sali Ademaj, drejtor i gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren dhe Enver Sulaj, profesor në gjimnazin “Loyola” në Prizren.

Sipas përfaqësuesve të “Dokufestit” vitin e kaluar kjo organizatë në bashkëpunim me personelin e sistemit të arsimit kosovar publikoi një manual me informata mbi filmat dokumentarë dhe përdorimin e tyre si mjet edukimi në shkollat e mesme të Kosovës për çështjet e të drejtave të njeriut.

Në vazhdimin e projektit këtë vit, “DokuFest” do të promovojë manualin edhe në shkollat e tjera të mesme të Prizrenit dhe të rrethinës së tij. Edhe gjatë viteve të kaluara “Dokufest” pati organizuar shfaqjen e filmave dokumentarë që në përmbajtje prekin temën e të drejtave të njeriut. Në këto aktivitete ishin përfshirë afër tre mijë nxënës.