Euro_2012_164041

‘Penallti’ për Anglinë

Gjermania, Italia, Holanda, kampioni në fuqi Spanja dhe shtetet nikoqire Polonia dhe Ukraina tashmë janë kualifikuar për në Euro 2012. Por, në dispozicion janë edhe gjashtë pozita tjera të drejtpërdrejta dhe tetë vende që dërgojnë në barazh. Nga duelet e së premtes bien në sy ato në Grupin G, ku Anglisë i nevojitet vetëm edhe një pikë nga udhëtimi në Mal të Zi, ndërsa Zvicra ‘shqiptare’ zhvillon një ndeshje vendimtare përballë Uellsit.

Anglia dështoi të kualifikohet për në Kampionatin evropian katër vite më parë, kur u mposht 3-2 nga Kroacia në Wembley në ndeshjen e saj të fundit. Por, ekipit aktual të udhëhequr nga Fabio Capello i nevojitet vetëm një pikë për të siguruar pjesëmarrjen në garën e vitit 2012, që do zhvillohet në Ukrainën dhe Poloni.

Anglia është mysafire e Malit të Zi në ndeshjen e saj të fundit të fushatës kualifikuese, ndërsa aktualisht është lidere e Grupit G me 17 pikë, para Malit të Zi me 11 dhe Zvicrës me 8 – këto të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Mali i Zi mund të tejkalojë Anglinë në pozitën e parë, nëse fiton të premten si dhe kundër Zvicrës të martën.

“Ne duhet të fitojmë këtë ndeshje, nuk do të luajmë për barazim. Nëse luani për barazim, është gabim i madh sepse nuk jeni të përqendruar në lojë. Kur e mbroni rezultatin, ju mund të bëni gabime”, tha Capello.

Ndërsa Zvicra me pesëshen shqiptare; Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Granit Xhaka e Blerim Xhemajli do të zhvillojë një ndeshje vendimtare në udhëtim te Uellsi. Skuadra helvetike patjetër duhet të fitojë në udhëtim dhe të shpresojë në një humbje të Malit të Zi nga Anglia e më pas të kërkojë sigurimin e barazhit në përballjen e drejtpërdrejtë me malazezët në xhiron e fundit.

Në Grupin A, Gjermania tashmë e kualifikuar është mysafire e Turqisë, që kërkon pikë vendimtare për të siguruar barazhin. Në ndeshjet tjera, Belgjika pret Kazakistanin, ndërsa Azerbajxhani është nikoqir i Austrisë. Serbia pret Italinë po ashtu të kualifikuar në përsëritjen e ndeshjes e cila ishte ndërprerë një vit më parë në Genoa. Serbët do të kërkojnë fitoren për të përforcuar pozitën e dytë në Grupin C.

Një ndeshje jashtëzakonisht e fortë do të zhvillohet në stadiumin Georgios Karaiskakis, ku Greqia do të presë Kroacinë në Grupin F. Me një pikë më tepër se grekët, Kroacia do të sigurojë kualifikimin në rast të fitores.

Por, nikoqiri nuk është se dorëzohet lehtë, andaj mund të pritet një betejë e ashpër mes tyre. Në Grupin E, Suedia e Emir Bajramit do të zhvillojë një duel të rëndësishëm në udhëtim te Finlanda. Holanda e kualifikuar pret Moldavinë.

Grupi A

Azerbajxhani-Austria 18:00

Turqia-Gjermania 20:30

Belgjika-Kazakistan 20:45

Grupi B

Armenia-Maqedonia 17:00

Sllovakia-Rusia 20:15

Andorra-Rep. e Irlandës 21:30

Grupi C

Irlanda e V-Estonia 20:45

Serbia-Italia 20:45

Grupi D

Bosnja-Luksemburgu 20:00

Rumania-Bjellorusia 20:30

Franca-Shqipëria 21:00

Grupi E

Finlanda-Suedia 18:15

Holanda-Moldavia 20:30

Grupi F

Letonia-Malta 19:00

Greqia-Kroacia 20:45

Grupi G

Uellsi-Zvicra 20:45

Mali i Zi-Anglia 21:00

Grupi H

Qipro-Danimarka 20:30

Portugalia-Islanda 22:00

Grupi I

Rep.çeke-Spanja 20:45

Lihtenshtajni-Skocia 19:30